Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar pas një aksidenti që ka ndodhur të dielën në bjeshkët e Istogut.
Policia bën me dije se tre të rinjtë kanë qenë duke shkuar në bjeshkët e Istogut dhe në hyrje të vendit të quajtur Polanë, për shkak të kushteve të dobëta atmosferike, me automjetin e tyre që ishin duke qarkulluar kanë humbur kontrollin dhe janë rrokullisur për më shumë se 300 metra në një humnerë, përcjell albinfo.ch.
Policia e Kosovës, përkatësisht Njësite nga Stacioni Policor Istog, posa është pranuar lajmi kanë dalë ne vendin e ngjarjes së bashku me Njësitin e Trafikut Rajonal, njësitet e tjera relevante, zjarrfikësit dhe ndihma e parë, me ç’rast kanë bërë përpjekje për t’i tërhequr viktimat e aksidentuara në humnerë.
Në vendngjarje ka dalë prokurori i shtetit, i cili ka bërë shikimin e vendit të ngjarjes.
Dy të lënduarit: E.M., 24-vjeçar, vozitësi i mjetit dhe F.S. 21-vjeçar, pasagjer, janë dërguar në spitalin rajonal në Pejë për trajtim mjekësor, ndërsa trupi i pajetë i të miturit, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, është tërhequr nga vendi i ngjarjes për t’u dërguar në morgun e Spitalit rajonal në Pejë.