Kryeministri Sali Berisha tha të hënën se nuk ka evakuim afatshkurtër të popullsisë në zonat e përmbytura në veri të vendit. Kryeministri, i cili foli në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, tha se do të ndihmohen banorët në zonat e përmbytura që për gjysmë ore humbën shtëpitë e tyre.
Berisha tha se këto përmbytje ishin më të mëdhatë që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Duke konfirmuar se 10 mijë banesa janë të përmbytura në qytetin e Shkodrës, Nënshkodër dhe në rrethina, dhe 12 mijë persona të evakuuar, kryeministri tha se në banesat e tyre janë ngujuar 10 mijë të tjerë.
Sipas Berishës, nuk ka pasur asnjë jetë të humbur. Ai konfirmoi rënien e nivelit të liqeneve. “Liqeni i Fierzës në fillimi ka qenë në 286, por më pas është ulur në 282 metra”, tha kryeministri, duke nënvizuar se digat u mbajtën nën kontroll dhe se po punohet për të parandaluar një vërshim me pasoja katastrofale që mund të vinte nga diga e Torovicës, e cila do ta çonte ujin drejt Lezhës.
Kryeministri kërkoi gjithashtu shtyrjen e seancës parlamentare të parashikuar për të enjten dhe po kështu, njoftoi se do të shtyhen festimet për 8 dhjetorin – festën e rrëzimit të diktaturës në Shqipëri.