Policia ka konfirmuar se një burrë ka mbetur i vdekur, pasi ka rënë nga një ndërtesë shumëkatëshe, ku ishte duke punuar.
“Sot në ora 17:45 kemi pranuar informacionin se një person ka rënë nga një ndërtesë në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor, i cili në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Lartësia prej ku ka rënë burri që ishte duke punuar në ndërtesë është shtatë kate.
Nga informacionet e para prej punëtorëve, ai ka qenë duke i ndërruar rrobat e punës në momentin kur ka rënë.
Mjekësia ligjore është në vendin e ngjarjes ende bashkë me prokurorin e rastit.
Pronarët e objektit nuk kanë lejuar që mediat të afrohen te vendi ku ka rënë viktima, raportojnë mediat kosovare, përcjell Albinfo.ch.