Prej kohësh në opinionin publik në Zvicër është ngulitur dhe konsiderohet si “e vërtetë e pakontestueshme” se “raserët” tipikë (ngasës të papërgjegjshëm e të shpejtë të veturave) janë me prejardhje të huaj, kryesisht ballkanike dhe shqiptare. Por, një klishe i tillë, së paku për kantonin e Lucernit del krejtësisht i pabazë.
Në një raport që ka përpiluar prokuroria e Kantonit të Lucernit vihet në dukje se nga 15 procedurat e ndjekjes të iniciuara kundër “raserëve” në këtë kanton, 10 kanë qenë kundër zviceranëve pa prejardhje të huaj. 2 raserë janë me prejardhje portugeze, ndërsa italianët, serbët dhe kosovarët në këtë listë të palavdishme janë të “përfaqësuar” me vetëm nga 1 delinkuentë të kësaj kategorie.
Kështu, sipas prokurorisë së Lucernit, “raseri tipik” është zviceran me moshe mesatare 31 vjeçare, i lindur nga prindër zviceranë.
Këtë të dhënë e ka konfirmuar sot në një konferencë për medie kryeprokurori i Luernit, Daniel Burri, duke thyer kështu klishenë e përhapur mbi “ngasësin e ri, të papërgjegjshëm nga Ballkani”.
Në 9 nga 15 rastet, ngasësve u është marrë menjëherë leja e qarkullimit për kohë të pacaktuar ose më së paku për dy vjet. Ata i pret edhe dënimi penal prej maksimalisht 4 vjet burg. Veç kësaj, në rastet e shkeljeve të rënda të rregullave në trafik, atyre mund edhe t`u konfiskohen automjetet.
Për të marrë sërish lejen e ngasjes, personat e përmendur duhet t`i nënshtrohen një ekspertize psikologjike, për të dëshmuar aftësinë për të ngarë automobilin.
(albinfo.ch&sda)
(albinfo.ch&sda)