Skip to content

Bie kërkesa për automjete të reja në Evropë

Kërkesa për automjete të reja në BE regjistroi një tkurrje të ndjeshme në prill, me një rënie të regjistrimeve prej 20,6% në 684.506 njësi.

Me përjashtim të vitit të pandemisë në 2020-n, ky është rezultati më i dobët i prillit sa u përket vëllimeve të shitjes, që kur kanë nisur regjistrimet – deklaroi Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA) më 18 maj.

Rënia, sipas ACEA, reflekton problemet në zinxhirin e furnizimit që vijojnë të peshojnë në prodhimin e automobilave. Të gjitha tregjet kryesore regjistruan tkurrje të fortë gjatë muajit, kryesuar nga Italia, e cila regjistroi ulje të kërkesës prej 33%, ndjekur nga Franca, Gjermania e Spanja, të cilat regjistruan rënie përkatësisht prej 22,6%, 21,5% dhe 12,1%.

Në katër muajt e parë të vitit (janar – prill 2022), regjistrimet e automjeteve të reja u tkurrën me 14,4% në të gjithë BE-në, duke arritur në 2.930.366 njësi.

Kjo vjen veçanërisht për shkak të rënieve të konsiderueshme të shitjeve të automjeteve në muajt mars dhe prill, të cilat zvarritën ecurinë e përgjithshme.

Ndër tregjet kryesore të BE-së, Italia regjistroi rënien më të madhe (26,5%), ndjekur nga Franca (18,6%), Spanja (11,8%) dhe Gjermania (9,0%)./monitor