Presidenti amerikan, Joe Biden, ka propozuar të premten tre ambasadorë për misione jashtë vendit – përfshirë atë për Zvicrën. Posti ka qenë vakant që nga janari i këtij viti. Scott Miller është i zgjedhuri i presidentit Biden për Zvicrën, ka shkruar CNN.
41-vjeçari është një aktivist i LGBTQ-së, i pasur, filantrop dhe mbështetës financiar për një kohë të gjatë i Bidenit dhe demokratëve, raporton srf.ch.
Miller dhe partneri i tij, Tim Gill, bëjnë fushatë për të drejtat e homoseksualëve, lezbikeve, biseksualëve, transgjinorëve përmes fondacionit të tyre “Gill Foundation”, transmeton albinfo.ch.
Ai është një ekonomist i trajnuar biznesi dhe ka punuar si konsulent menaxhimi dhe menaxher i aseteve të UBS-së në Denver, Kolorado.
Dy ambasadorët e tjerë amerikanë të emëruar nga Biden janë: Marc Stanley për Argjentinën dhe David Gilmour për Guinenë Ekuatoriale.
Ende nuk dihet se kur Miller dhe kolegët e tij do të marrin postet e tyre jashtë vendit. Së pari, Senati amerikan duhet të japë miratimin e tij për nominimet.