Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në një ceremoni solemne të mbajtur në rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova ka ndarë çmimet “Mërgimtari i Vitit” në fushat e parapara sipas ligjit në fuqi.
Gjatë kësaj ceremonie, ku si nikoqir ishte zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, morën pjesë edhe ministri i Diasporës i Maqedonisë, Edmond Ademi, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, familja e presidentit Ibrahim Rugova, si dhe tenori me famë botërore, Ramë Lahaj, përcjell albinfo.ch.
Në këtë ceremoni iu ndanë çmimet pjesëtarëve të diasporës shqiptare për kontributin e tyre dhënë në fushat e ndryshme gjatë vitit, për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor, historik e gjuhësor shqiptar.
Çmimet:
Çmimin “Mërgimtar i vitit” në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë e mori Besnik Miftaraj.
Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e kulturës iu dha tenorit të njohur Ramë Lahaj.
Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e sportit iu dha dy futbollistëve shqiptarë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e veprimtarisë afariste iu dha Bekim Brestovcit.
Çmimi i Nderit iu nda Rosario Petta, kryetar i komunës Hora Arbëreshëve në Sicili, dhe Agron Bajrami, themelues e koreograf i shkollës së vallëzimit “Shota” në Zvicër.
Çmimi “Mërgimtar i vitit” iu dha Mark Gjonajt, ndërsa çmimi “Post Mortem” iu nda ish- futbollistit Fadil Vokrri, njeriu që bëri shumë për njohjen e sportit në arenën ndërkombëtare.