Besimtarët islamë sot në mbarë botën po festojnë Fitër Bajramin. Po kështu edhe shumë shqiptarë të zellshëm janë zgjuar herët në këtë ditë pushimi për ta kryer obligimin fetar, faljen e namazit. Madje edhe larg vendlindjes. Në përmasa të mëdha kjo vërehet tek shqiptarët e besimit mysliman në Diasporë.
Gjallëria e krijuar në xhaminë e Rorschach-ut sot kishte thyer qetësinë e zakonshme që mbretëron të dielave në Zvicër. Në një zonë të madhe industriale, ku radhitën xhamitë e komuniteteve të besimit islamë, shqiptarët mysliman bënë faljen e namazit nga kati tretë i një godine që përbrenda ka marrë pamje e një xhamie të mirëfilltë me të gjitha kushtet për të kryer ritet fetare.
Imami i kësaj xhamie, Alivebi Mediu, me një paraqitje elegante printe në ceremoninë e faljes së namazit. Por para kësaj, shumë kureshtarë dëgjonin më vëmendje porositë e imamit rreth të mirave materiale që na i ka falur Zoti, të cilat ne duhet ti shfrytëzojmë në mënyrë parimore, duke mos harruar aspektin social dhe human. E në fokus të ligjërimit apo „vajzit“ që i tregonte hoxha xhematit ishte shfrytëzimi i teknologjisë me të mirat e të metat që ka.
Ndërkohë që ora kishte shënuar shtatë të mëngjesit, imami Alivebi Mediu, nisë ceremoninë e faljes së namazit me lutjet drejtuar Allahut të Madhërishëm për paqë e mirësi, shëndet e të mira në çdo familje.
„Mesazhi im është që të bashkohemi rreth çështjes fetare e kombëtare, të rrimë bashkë e të mos shpërndahemi, të jemi model i fëmijëve, i ardhmërisë. Dhashtë Zoti të bashkohemi e të kemi një fitim për krejt popullin siç kemi ëndërruar gjithmonë të jemi të zotë e vedetës“ tha imami Alivebi Mediu.
Muaji i Ramazanit në përgjithësi ka kaluar mirë; „fillimisht ka pasur më pak xhemat, sepse ka qenë pushimi i verës, por javët e fundit janë kthyer dhe mirë ka kaluar, nuk ka pasur probleme“ shpjegon imami Alivebi Mediu.
Me një urim të shkurtër besimtarëve iu drejtua edhe kryetari i xhamisë Emrush Rexhepi, i cili ndër të tjera tha se ky muaj i shenjtë i Ramazanit kërkon nga ne të jemi të bashkuar e solidarë.
Të ndihmojmë njëri tjetrin e të gjendemi pranë njerëzve tanë si në mirësi ashtu edhe në vështirësi. Solidariteti që kërkohet me rastin e Fitër Bajramit, krahas vitrave, kësaj radhe në xhaminë e Rorschach-ut u shpreh në përmasa të kënaqshme në ndihmë e përkrahje materiale të jetimëve, familjeve, vajzave e grave të përdhunuara nga agresioni serb mbi Kosovë gjatë luftës së fundit. Këto mjete materiale, siç na thotë babai i tre fëmijëve Emrush Rexhepi nga Shkupi, i dërgohen shoqatës në Kosovë „Jeta në Kastriot“.
Pas faljes së namazit dhe urimet e Fitër Bajramit mes xhematit ata që dëshironin mund të ndihmonin aksionin në zyrën e xhamisë në përkrahje të vajzave e grave të përdhunuara.