Besim Halimi është njëri nga parukierët më të suksesshëm në Zvicër dhe në diasporën shqiptare. Halimit i cili jeton dhe vepron në Zvicër ka qenë gjashtë herë fitues i Oscar-it për flokë, derisa tashmë do të jetë në jurinë profesionale në Vjen të Austrisë.
“Kam marrë ftesë nga firma Schwarzkopf Professional, që më 23 janar të jem në Vjenë të Austrisë, ku do të jem pjesë e jurisë për të përzgjedhur Oscar Austrian Hairdresser të vitit 2017-të. Jam pjesë e jurisë profesionale të të gjitha kategorive dhe kjo gjë më bën të ndihem shumë krenar dhe i lumtur që si shqiptar do të vlerësoj punën e floktarëve austriakë”, ka thënë ai për “KultPlus”, përcjell albinfo.ch.
Ai ka shtuar se se pas ndarjes së këtyre çmimeve më 23 janar, me datën 23 prill do të mbahet ceremonia ku fituesit do t’i marrin trofetë e Oscar Austrian Hairdresser për vitin 2017-të, në Vjenë.
Kujtojmë se Besim Halimi, ka sallonin e tij në Zvicër dhe është një ndër parukierët më të suksesshëm shqiptarë në diasporë.