Besa Sharrah, profesioniste shqiptaro-amerikane, është emëruar anëtare e Komisionit për Evropën Lindore në shtetin e Ohio, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.
Emërimi është bërë nga guvernatori i Ohio-s, Mike DeWine, në një kohë që konsiderohet vendimtare për zhvillimet politike dhe strategjike në Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, në sfondin e sfidave të vazhdueshme dhe luftës që po ndikon rajonin.
Në reagimin e saj pas këtij emërimi, Sharrah e cilësoi këtë si një nder të madh dhe një përgjegjësi të rëndësishme. Ajo theksoi se do të angazhohet për promovimin e vlerave demokratike dhe për mbështetjen e forcimit të institucioneve në vendet e Evropës Lindore.
Sipas saj, bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm është thelbësor për të garantuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe demokracia të vazhdojë të zhvillohet pavarësisht vështirësive dhe krizave aktuale.
Ky emërim shihet si një hap domethënës, duke reflektuar rolin gjithnjë e më aktiv të profesionistëve shqiptaro-amerikanë në strukturat institucionale dhe vendimmarrëse në SHBA./Albinfo.ch
