Bertila Bruka, studente shqiptare nga Kukësi, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën akademike. Ajo është shpallur fituese e çmimit “Kërkues shkencor i shkëlqyer” nga Stevens Institute of Technology dhe është pranuar direkt në programin e doktoraturës në Georgia Institute of Technology, pa qenë e nevojshme diploma Master – një privilegj që u ofrohet vetëm studentëve me rezultate të jashtëzakonshme, transmeton albinfo.ch.
Bertila u diplomua këtë vit për Inxhinieri Biomjekësore me medaljonin “High Honors”, duke u dalluar për punën kërkimore dhe udhëheqjen në projekte shkencore. Ajo ka prezantuar studimet e saj në konferenca prestigjioze në SHBA dhe ka zhvilluar kërkime në universitete të mëdha si Yale dhe National Institutes of Health (NIH).
Rrugëtimi i saj përfshin fitimin e bursës shumë prestigjioze të Jack Kent Cooke Foundation dhe përzgjedhjen si STEM Leader në programe shtetërore të SHBA. Me punën e saj në projekte për neuroshkencën, nanoteknologjinë dhe inxhinierinë biomjekësore, Bertila ka treguar aftësi inovative dhe lidership të rrallë.
Suksesi i saj është një shembull frymëzues për të gjitha vajzat shqiptare, duke dëshmuar se përkushtimi, dijet dhe këmbëngulja mund të hapin dyert e universiteteve më prestigjioze të botës. /Albinfo.ch