Sipas ministrit të Shëndetësisë, Alain Berset, Zvicra nuk do të jetë në gjendje të parandalojë valën e katërt të koronës. Por do të jetë një valë ndryshe nga tri valët nëpër të cilat ka kaluar tashmë Zvicra, shkruan sda.ch.
Njerëzit më të prekshëm në popullsi, brezi i vjetër, janë të vaksinuar mirë. Në mesin e tyre, shkalla e vaksinimit është mbi 80 për qind, ka thënë Këshilltari Federal Berset në një intervistë me “Südostschweiz”. Prandaj, kemi një pikënisje ndryshe nga më parë.
Por është e rëndësishme që shumë më tepër njerëz të vaksinoheshin në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Berset u është drejtuar veçanërisht njerëzve nën moshën 50 vjeçe.
Situata aktualisht është nën kontroll, ka thënë ai. “Por numrat do të vazhdojnë të rriten në të ardhmen e afërt”.
Është e vështirë të thuhet nëse personave të vaksinuar u duhet një dozë e tretë për të rifreskuar mbrojtjen e tyre. “Por është e sigurt që ky vendim nuk do të merret nga kompanitë farmaceutike”, ka shtuar Berset.