Filmi “Someday, a Child”, me regji të libanezes Marie-Rose Osta dhe me drejtor fotografie artistin shqiptar Sokol Keraj, ka fituar çmimin prestigjioz “Golden Bear” për film të shkurtër në Berlin International Film Festival, transmeton albinfo.ch.
Çmimi “Ariu i Artë” (Golden Bear) u nda në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit, duke vlerësuar filmin 27-minutësh si më të mirin në kategorinë e tij. “Someday, a Child” është një bashkëprodhim mes Francës, Rumanisë dhe Libanit dhe pati premierën botërore pikërisht në Berlin.
Në qendër të ngjarjes është një djalë 11-vjeçar me aftësi të pazakonta, i cili jeton me xhaxhain e tij në një fshat libanez, ku zhurma e avionëve luftarakë është pjesë e përditshmërisë. Ndërsa xhaxhai përpiqet ta bëjë të duket “normal”, djali në fshehtësi vë në provë një fuqi që vetë mezi e kupton. Kur ai aksidentalisht shkakton rrëzimin e dy avionëve luftarakë, aftësia e tij e fshehur bëhet e pamundur për t’u kontrolluar.
Sokol Keraj, i cili në këtë projekt mban rolin e drejtorit të fotografisë, ka studiuar për regji filmi në Rumani dhe aktualisht është pedagog në Politecnico Grancolombiano në Bogota, Kolumbi. Në krijimtarinë e tij përfshihen edhe filma si “Dita e fundit e Loro Shestanit” dhe “Gëzuar Vitin e Ri 1982”.
Ky sukses përbën një tjetër dëshmi të kontributit të artistëve shqiptarë në produksione ndërkombëtare dhe rritjes së prezencës së tyre në skenën globale të filmit./Albinfo.ch