Zvicra u eliminuar nga Botërori pas humbjes nga Suedia me rezultat minimal 1:0, shkruan albinfo.ch.
Kjo humbje dhe eliminim ka lënë të dëshpëruar kapitenin në këtë ndeshje për Zvicrën, Valon Behramin, megjithatë, ai nuk dorëzohet.
“Si sportist jam shumë i zhgënjyer nga eliminimi, por vazhdoj të jem krenar. Dal nga ky Botëror me kokën lart. Suedezët na kanë treguar se kemi limitet tona. Por këtë unë e interpretoj si një objektiv të ri për t’u arritur”, është shprehur Behrami pas ndeshjes për ‘Blick’.
Mesfushori shqiptar është 33-vjeçar dhe për të ishte Botërori i katërt në karrierën e tij, rekord për një futbollist të Zvicrës. “Unë dua të vazhdoj. Unë kam ende motivim të madh në mendjen time, shpresoj që kështu të jetë edhe fizikisht”, theksoi futbollisti i Udineses, i cili gjithashtu ka luajtur në dy Kampionate Evropiane.
“Në ditët e fundit u ndjeva mirë këtu në ekip. Ndjej se mund t’i jap përsëri kësaj skuadre”, deklaroi futbollisti shqiptar.