Komisioni Evropian propozoi sot zgjatjen e masave për të reduktuar konsumin e gazit me një objektiv prej 15% në gjithë Bashkimin Evropian deri në mars 2024.
“Përpjekjet kolektive për të reduktuar kërkesën për gaz kanë qenë thelbësore për të kaluar këtë dimër të sigurt”, tha në një deklaratë komisionerja e BE-së për Energjinë, Kadri Simson.
Vendet e BE-së u zotuan të ulin konsumin e tyre me të paktën 15% krahasuar me mesataren e pesë vjetëve të fundit, verën e kaluar, pasi Rusia uli në mënyrë drastike eksportet në bllok.
“Është bërë një progres në diversifikimin e furnizimit dhe reduktimin e varësisë së bllokut nga Rusia, por tregjet globale të gazit ka të ngjarë të mbeten të kufizuara në muajt e ardhshëm”, tha Kadri, transmeton dpa, përcjell albinfo.ch.
“Vazhdimi i kursimit të gazit do të ndihmojë gjithashtu në rimbushjen e objekteve të depozitimit të gazit në 90% deri në nëntor”, shtoi komisionerja.
Objektivi i kursimeve, i cili u tejkalua muajt e fundit me një ulje të kërkesës me mbi 19% mesatarisht në gjithë BE-në, aktualisht është vendosur të përfundojë në fund të muajit.
Ministrat e Energjisë së BE-së do të miratojnë zgjatjen e masave për reduktimin e konsumit të gazit në takimin e tyre të ardhshëm në Bruksel, më 28 mars.