Komisioni Evropian do të shqyrtojë rrezikun që paraqet përdorimi i katër teknologjive kritike si armë lufte, mes tyre gjysmëpërçuesit dhe Inteligjenca Artificiale, përcjell albinfo.ch.
Blloku do të vlerësojë përdorimin e teknologjisë nga vende që nuk ndajnë të njëjtat vlera dhe do të marrë masa vitin që vjen për ta trajtuar këtë çështje, tha të hënën një zyrtar i BE-së.
Masa është pjesë e strategjisë për sigurinë ekonomike të Bashkimit Evropian, të shpallur në qershor, dhe u bën jehonë masave të ngjashme të marra nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe vende të tjera përballë shqetësimeve që paraqet qëndrimi i Kinës.
Dy teknologjitë e tjera kritike në listën e BE-së janë teknologjia kuantike dhe bioteknologjia, si vaksinat dhe sekuenca e gjenomit.