Raportohet se pas më shumë se tetë vjetësh negociata të ngecura për një marrëveshje tregtare, Bashkimi Evropian dhe India premtojnë se do të rikthehen në tryezën e bisedimeve, përcjell albinfo.ch.
Ndërkohë që shefja e ekzekutivit, Ursula Von der Leyen, është takuar në New Delhi me kryeministrin indian, Narendra Modi, duke theksuar se unioni do të shkëputet nga importet ruse dhe do të investojë në energjinë e pastër të rinovueshme.
“Forcimi i partneritetit është një prioritet kyç për këtë dekadë. Ne do të rrisim bashkëpunimin në tregti, teknologji dhe siguri. Në Evropë, lufta e Rusisë në Ukrainë ishte një kujtesë e fortë se varësia jonë nga karburantet fosile ruse nuk është e qëndrueshme. Pra, kalimi drejt energjisë së prodhuar në vend është gjithashtu një investim në sigurinë tonë”.
Në vitin 2013 bisedimet u ndërprenë për çështje të diskutueshme, si produktet kryesore bujqësore dhe të qumështit, të drejtat e punës, standardet mjedisore dhe të tregtisë dixhitale.
Vlen të theksohet se BE-ja është partneri i tretë tregtar i Indisë dhe destinacioni i dytë më i madh i eksportit.
Nga ana tjetër, Rusia është furnizuesi më i madh i armëve në Indi dhe ka ofruar naftë bruto me zbritje. Ndërsa qëndrimi i New Delhit sa i takon luftës kundër Ukrainës vijon të mbetet neutral. /Albinfo.ch