Bashkimi Evropian (BE) planifikon të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër tregut të bllokut, të thellojë integrimin ekonomik dhe të rrisë fondet e ofruara për vendet e rajonit.
“Plani i rritjes që ne propozojmë sot është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: afrimi i Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm të BE-së, thellimi i integrimit ekonomik rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e fondeve të para-anëtarësimit. Qëllimi ynë i përbashkët është të përshpejtojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Për këtë, ne po e afrojmë bashkimin tonë me Ballkanin Perëndimor”, tha Von der Leyen.
“Një treg i përbashkët rajonal është shumë i rëndësishëm për ta bërë Ballkanin Perëndimor një vend më tërheqës për investitorët evropianë”, ka shtuar ajo.
Duke kujtuar se disa reforma që janë pjesë e procesit të anëtarësimit në BE janë të një rëndësie kyçe për besimin e investitorëve, Von der Leyen theksoi rëndësinë e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efikas, sistemin e duhur të prokurimit publik dhe luftën kundër korrupsionit./Euronews