Shumica e qeverive evropiane janë duke u përpjekur të sjellin programe shkurtimi, ndërsa Spanja, Franca dhe Portugalia pritet që përsëri të mos jenë në gjendje të respektojnë kufijtë e deficitit kombëtar.
Deficiti buxhetor i Spanjës ishte 10.2% i Prodhimit të Brendshëm Bruto PBB në vitin 2012, 6.3% mbi objektivin e venë dhe pritet të tejkalojë normën edhe në dy vitet e ardhshme.
Sipas këtij parashikimi të KE-së, PBB i përgjithshëm i BE-së në vitin 2013 do të tkurret me 0,3%, përkundër parashikimit të mëhershëm se 17 ekonomitë evropiane do të gëzojnë bashkërisht një rritje prej 0.1 për qind..
Në vitin 2012, në Eurozonë kishte recesion prej 0.6%.
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Olli Rehn, ka thënë se papunësia në BE pritet që të vazhdojë të rritet deri në nivelin e 12.2% nga 11.4% sa ishte në fund të vitit të shkuar.
I vetmi lajm i mirë është se trajektorja e rritjes pritet të përjetojë një rritje të fortë drejt fundit të vitit.
Pas tre tremujorëve të parë në recesion, periudha tetor-dhjetor 2013 pritet të shënojë një rigjenerim të rëndësishëm ekonomik, duke shënuar një rritje prej 0.7%.