Komisioni i BE-së mund të negociojë me Bernën për marrëdhëniet e ardhshme midis BE-së dhe Zvicrës, përcjell albinfo.ch.
SRF shkruan se vendet anëtare të BE-së miratuan sot mandatin e Komisionit të BE-së për negociatat me Zvicrën.
Të premten e kaluar Këshilli Federal prezantoi mandatin përfundimtar të negociatave të Zvicrës me BE-në.
Miratimi zyrtar i mandatit ishte në agjendën e Këshillit për Çështje Ekonomike dhe Financiare. Më parë, grupet e punës dhe përfaqësitë e përhershme të vendeve anëtare të BE-së janë marrë me mandatin e paraqitur nga Komisioni i BE-së.
Pasi Këshilli Federal miratoi mandatin e tij të premten e kaluar, të dyja palët tani kanë një mandat. Negociatat janë planifikuar të fillojnë këtë muaj, siç tha Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA) javën e kaluar.