Qyteti zviceran i Bazelit po përgatitet të kthehet në epiqendrën evropiane të muzikës nga 10 deri më 17 maj 2025, teksa pret Festivalin e Këngës Eurovision. Me një program të pasur artistik e festiv, që shtrihet përtej netëve të shfaqjeve, organizatorët synojnë të përfshijnë gjithë qytetin dhe vizitorët në një përjetim të gjithanshëm të Eurovisionit, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.
Presidenti i Kantonit Basel-Stadt, Conradin Cramer, ka theksuar se synimi është që atmosfera e Eurovisionit të ndjehet në çdo cep të qytetit gjatë gjithë javës. “Faza e Eurovisionit nuk është vetëm një shfaqje televizive. Është një ngjarje për të gjithë komunitetin,” tha ai në një konferencë për shtyp në mars.
Fshati i Eurovisionit dhe EuroClub – zemra e festimeve
Në Sallën 1 të Qendrës së Panairit të Bazelit do të ngrihet Fshati i Eurovisionit, i hapur për publikun pa nevojë për bileta. Deri në 12 000 vizitorë në ditë mund të shijojnë koncerte, ushqime, pije dhe aktivitete të shumta. Yje si Remo Forrer, Anna Rossinelli, Conchita Wurst dhe Luca Hänni do të performojnë për fansat.
Për ata që kërkojnë një atmosferë festive nate, EuroClub, me kapacitet për 3 000 vetë, do të ofrojë net të mbushura me performanca të artistëve të njohur të Eurovisionit, si Gjon’s Tears, Gunvor, Keiino dhe Emmelie de Forest. Ndërsa EuroCafé, më i qetë dhe falas për të gjithë, do të ofrojë karaoke, bar dhe hapësira për çlodhje.
Ngjarje për të gjithë – nga xhazi te karaoke