Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha e ka cilësuar si fitore të opozitës dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ai ka thënë se ky është vetëm fillimi i “shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin”.
“Largimi i Fatmir Xhafës, të vetmit ministër të brendshëm në Europë me vëllain trafikant droge, është një hap i rëndësishëm në betejën tonë për të pastruar politikën nga krimi. Me Fatmir Xhafën krimi vuri nën kontroll të plotë policinë dhe prokurorinë. Beteja për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi do të vazhdojë deri në fitore. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për njerëzit”, ka shkruar Basha në reagimin e tij.