Kosova është në pritje të shfrytëzimit të shumës prej 27 milionë dollarësh, pjesë e një fondi të ndarë menjëherë pas luftës për Kosovën nga BIZH.
Riad. Drejtori i Bankës Islame për Zhvillim, Ahmed Muhamed Ali premoi investime në Republikën e Kosovës, të paktën në tri segmente kapitale, në autostradën Prishtinë-Mitrovicë, në sistemin e ujitjes dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Drejtori i BiZH-it, Muhamed Ali tha se shumë shpejt kjo bankë sociale do t’i ndajw mjetet për këto tri segmente.
Këto premtime drejtori i BIZH-it i ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar në Riad me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Arabinë Saudite.
“Kosova është në pritje të shfrytëzimit të shumës prej 27 milionë dollarësh, pjesë e një fondi të ndarë menjëherë pas luftës për Kosovën nga BIZH. Drejtori i kësaj banke, u zotua se shumë shpejt do të ndahen mjetet në fjalë”, thuhet, ndwrkaq në një kumtesë lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Thaçi.
“Pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e BIZH-it, ajo do të vazhdojë të mbështetet nga ky institucion bankar”, citohet të ketë thënë Ahmed Muhamed Ali.
Ndërsa kryeministri kosovar, Hashim Thaçi e falënderoi drejtorin e BIZH-it për mbështetjen dhe ndihmat që i ka dhënë Kosovës, si dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit me këtë bankë dhe mundësinë e marrjes së ndonjë kredie të butë afatgjatë.
Banka Islame për Zhvillim ka 56 vende anëtare. Qëllimi kryesor i bankës është dhënia e kredive e granteve për projekte të ndryshme, që do të sigurojnë zhvillim ekonomik dhe social.