Boksieri shqiptar, Tefik Bajrami ditë më parë ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampion i botës në versionin WBU.
Bajrami i cili jeton dhe vepron në Zvicër, nuk e ka harruar vendlindjen e tij, Podujevën dhe menjëherë pas triumfit ka vizituar këtë qytet. Madje, për të i është organizuar një pritje e veçantë në aeroportin e Prishtinës.
Për ta përkrahur atë, një numër i qytetarëve nga Podujeva të organizuar nga Iniciativa Vullnetare “RB” e kanë pritur Bajramin, teksa ai ka zbritur nga avioni i cili ka mbërritur nga Zvicra, shkruan “llapi.info”.
Bajrami është shprehur i befasuar me pritjen që i është bërë, derisa ishte i lumtur njëkohësisht me kulturën e treguar nga rinia dhe llapjanët në përgjithësi, përcjell albinfo.ch.
Reshat Blakqori, nga Iniciativa “RB” njëherësh edhe organizatori i kësaj pritje është shprehur se qëllimi i kësaj pritjeje ka qenë edhe sensibilizimi i qytetarëve të Kosovës për personat me autizëm. “E gjithë kjo pritje ngjashëm sikurse edhe fitorja e “Uraganit Shqiptar” u është dedikuar fëmijëve të prekur me autizëm”, deklaroi Blakqori.