FC Bajerni i Munihut ka deklasuar në mënyrën më bindëse Barcelonën e madhe. Me 4 gola të gjermanëve kundrejt zero të Barçës, të thuash është shfryrë si balonë miti për këtë skuadër dhe për superlojtarin, më të mirin në botë të disa viteve të fundit, Messin.
Bajerni përveç që ka fituar bindshëm me gola, ka mbizotëruar në mënyrë sovrane gjatë gjithë ndeshjes.
Golat i kanë shënuar nga Müller (minutat 25 dhe 82) Gomez (49) dhe Robben (73).
Në minutën e 88 trajneri Heynckes e ka futur në lojë edhe Xherdan Shaqirin, i cili ka pasur rastin që të luajë afër 5 minuta (duke llogaritur edhe tre minutat e lojës shtesë).
Në minutat e fundit të ndeshjes, kur Barcelona i kishte humbur të gjitha gjasat për përmbysjen e rezultatit, ajo filloi të tregojë shenja të forta nervoze, duke detyruar kështu gjyqtarin të ndajë disa kartonë të verdhë.
Me këtë fitore, Bajerni është tashmë me një këmbë në finalen e Ligës së Kampionëve.