Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Qeverinë Hoti. Qeveria e udhëhequr nga Abdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës mori 61 vota “për”, 24 “kundër” dhe 1 “abstenim”.
Kryeministër i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, para votimit prezantoi planin e tij qeverisës para Kuvendit të Kosovës.
“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”, deklaroi Hoti, përcjell albinfo.ch.
Të drejtën për formimin e qeverisë nga LDK-ja e njohu Gjykata Kushtetuese e Kosovës që shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për formimin e qeverisë së re.
Dekretin e presidentit e dërgoi në kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje që pretendonte se nuk kishte shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese për të propozuar mandatarin e ri.
Qeveria Kurti u rrëzua në muajin mars pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi në Kuvend.
Seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, udhëhiqej nga nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala dhe jo nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani e cila ka qenë një kundërshtare e mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti.