Përkundër se po përballet me disa lëndime, te Schalke besojnë shumë te Donis Avdijaj. Drejtori sportiv i skuadrës gjermane, Christian Heidel, thotë se Avdijaj është një talent i jashtëzakonshëm, shkruan ‘wa.de’.
Ai e mori në Schalke për të mos e lënë të huazuar në Strum Graz. “Ne kemi pasur shumë diskutime. Duke folur me Donis me të vërtetë ishte kënaqësi. Jemi takuar në aeroportin e Frankfurtit më 2016 dhe kemi biseduar për tri orë. E kam ndjerë se është një djalë i mirë”, ka thënë Heidel, përcjell albinfo.ch.
“Unë besoj në të. Ai ka kualitete të mëdha”, ka shtuar ai. 20-vjeçari ka pasur probleme me lëndime në ndeshjet e fundit.
“Ai ka përparuar shumë dhe kështu duhet të vazhdojë. Ishte adoleshent, por i ka impresionuar të gjithë”, ka theksuar drejtori sportiv i Schalkes që beson verbërisht në futbollistin shqiptar.
Ai kishte pasur edhe një episod të pakëndshëm në tetor të vitit 2016, kur ‘mister’ 49 milionëshi kishte shkatërruar Mercedesin e tij. “Incidenti ka ndodhur dhe sigurisht se nuk është mirë. Por, nuk ishte aq dramatike. Në fund dëmi ishte 1800 euro. Ajo që më ka bërë përshtypje është se si ai e ka trajtuar”, deklaroi ai më tutje. Avdijaj ka shënuar gol për skuadrën e parë të Schalkes, duke dëshmuar se është një talent i madh, kurse në ndeshjet e fundit nuk është paraqitur për shkak të lëndimeve.