Aktori kosovar Astrit Alihajdaraj vazhdon me shfaqje të reja në teatrin dhe kinematografinë austriake. Djaloshi nga Istogu cili prej vitesh jeton në Vjenë të Austrisë, do të shfaqet në serialin e njohur austriak “Soko Kitzbuhel”, përkatësisht në episoden e fundit për këtë sezon, i cili quhet “Erlösung”.
Seriali i cili shfaqet për shumë vite transmetohet të martën në televizionin kombëtar austriak “Orf 1”, duke filluar nga ora 21:05 minuta, ndërsa ritransmetimi jepet të mërkurën në mëngjes në orën 2:30 dhe paradite në orën 10: 40 minuta, raporton “albinfo.ch”.
Seriali është film aksion, ndërsa aktori ynë do të luajë rolin e një biznesmeni që bën tregti me hotele por që në këtë episod akuzohet edhe për tregti tjera jo legale.
“Ishte një rol i ri për mua, sigurisht interesant dhe një përvojë e re me kolegë shumë të mirë dhe profesionistë. Pra, ishte një përvojë shumë e mirë që pasuron repertorin e roleve të mia të deritashme”, thotë djaloshi nga Istogu për “albinfo.ch”.
Astrit Alihajdaraj është aktori shqiptar më i suksesshëm i gjeneratës së re në Austri.