Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë pritet të përmbyllet më 17 maj.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, janë regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë.
“Jemi në ditët e fundit të regjistrimit të popullsisë. Deri më tani procesi ka shkuar siç e kemi planifikuar në fillim. Pritjet janë që regjistrimi të përfundojë gjatë kësaj jave në të gjitha komunat e Kosovës. Deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë”, tha kryeshefi i ASK-së, Avi Kastrati.
Kastrati tha se në komunat në veri ende ka hezitime nga disa qytetarë që të regjistrohen.
Kastrati bëri të ditur se komuna që ka kërkuar të shtyhet procesi i regjistrimit ka qenë Dragashi.
Kastrati tha se për diasporën është kaluar numri mbi 400 mijë që janë regjistruar në formën online.