Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë: kuvendin, kryetarin, këshillin, bordin, administratën dhe zyrën për ankesa, kanë thënë drejtuesit e ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit në takimin që kanë pasur me kryetarët e komunave me shumicë serbe.
“Bashkëbiseduesit kanë theksuar se është thelbësore që kompetencat e bashkësisë së komunave serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit”, thuhet në njoftimin për media. Ekipi menaxhues ka informuar kryetarët e komunave serbe me aktivitetet e mëparshme dhe planet e ardhshme. Në takim është konstatuar se Bashkësia e Komunave serbe duhet të kontribuojë në forcimin e demokracisë lokale dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit serb.