Një serb i akuzuar për krime lufte është arrestuar në Budapest me urdhër të prokurorisë speciale të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi opinionin publik se në zbatim të Urdhër Arrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, autoritetët hungarezë në Budapest kanë ndaluar personin me inicialet S.S., i nacionalitetit serb.
Për këtë shtetas serb është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak se dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, ku janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore, thuhet në njoftim, përcjell Albinfo.ch.