Pas fatkeqësisë së mbytjes së një anijeje me të paktën shtatë të vdekur dhe 21 të zhdukur në Danub të Budapestit, është arrestuar të enjten në mbrëmje kapiteni i anijes. Sipas të dhënave të policisë, në bazë të dëshmive personale dhe materialeve të tjera, ekzistojnë “momente dyshimi” për arrestimin e kapitenit ukrainas. Nuk u bë e ditur me se kanë të bëjnë këto dyshime. Kërkimi për gjetjen e viktimave vazhdon pa pushim, mbas kësaj katastrofe nga më të rëndat në historinë e Hungarisë, raporton DW.
Të mërkurën në mbrëmje, një varkë lundrimi me turistë nga Koreja e Jugut u përplas në segmentin e Danubit që kalon në mes të Budapestit, me një anije shumë më të madhe Cruise, dhe u mbyt. Shtatë vetë humbën jetën, shtatë u shpëtuan. Nga Koreja e Jugut është nisur një ekip për të ndihmuar në vendin e ngjarjes, përcjell albinfo.ch.
Shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë janë të pakta. Rrymat e mëdha dhe mjegulla që pengon shikimin kanë vështirësuar punën e forcave të ndërhyrjes. Policia bëri të ditur se ka gjetur një trup pa jetë disa kilometra larg vendit të ngjarjes.
Varka e lundrimit, “Hableany”, me koreanojugorët në bord u mbyt pak sekonda pasi u përplas me anijen Cruise. Shtatë pasagjerë u shpëtuan menjëherë pas përplasjes nga anijet e tjera që ndodheshin në afërsi. Të shpëtuarit u dërguan në spital për tu trajtuar nga ulja e temperaturës së trupit.
Ushtarë pionierë filluan me ngritjen e një platforme zhytjeje. Zhytës të specializuar u futën në karabinanë e anijes së mbytur dhe përgatitën tërheqjen e saj. Niveli i lartë i ujit, rrymat e forta dhe kushtet e këqija të motit kanë vështirësuar punën e tyre. “Nxjerrja e anijes së mbytur mund të zgjasë me ditë ose javë”, ka thënë për agjencinë e lajmeve MTI, drejtori i firmës së specializuar me nxjerrjen e anijeve.
Policia hungareze bëri të ditur se të mërkurën në mbrëmje, anija e lundrimit me turistë i doli para anijes Cruise, kur ndodheshin poshtë Urës Margarete, dhe u përplas me të. Anija e vogël u mbyt brenda shtatë sekondash.
Lundrimi me anije preferohet shumë nga turistët
Në anijen Cruise, “Viking Sigyn” që lundron nën flamurin zviceran, nuk u lëndua kurrkush as nga ekuipazhi as nga turistët.
Sipas njoftimeve të agjencisë koreanojugore të lajmeve pjesa më e madhe e turistëve kanë qenë të moshës 40 deri 50 vjeçare. Në bord ka qenë edhe një fëmijë gjashtëvjeçar.
Anija për lundrimin e turistëve, 27 metra e gjatë, mban 60 pasagjerë dhe ishte e firmës hungareze Panorama Deck.
Lumi Danub rrjedh në mes të Budapestit dhe e ndan dy pjesët Buda dhe Pest. Lundrimet me anije në pjesën e Danubit që kalon në Budapest, janë shumë të preferuara nga turistët, sepse gjatë lundrimit shihen pikat turistike si Kalaja e Budës dhe ndërtesa e parlamentit. Në orët e pas perëndimit të diellit arkitektura e ndriçuar me madhështi tërheq shumë vizitorë. Kohët e fundit lundrimi në mbrëmje mbi Danub është shtuar shumë.