Tre artistë zvicerane, dy meshkuj dhe një femër janë arrestuar ne Zagreb të Kroacisë pasi që po shëtisnin të lakuriquar nëpër qytet. Këtë shëtitje ata po e bënin në formë të performancës në kuadrin e një festivali të artit alternativ. Sipas televizionit kroat (HRT) ata fillimisht janë bindur nga policia që të visheshin dhe pastaj janë shoqëruar në stacionin e afërm të policisë.
Ndërkaq, organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se ata kanë qenë të njoftuar paraprakisht rreth aksionit të përmendur të artistëve.
Përveç tre zviceranëve, policia ka shoqëruar edhe një artist amerikano-korean i cili ishte shtrirë për të fjetur në një shesh të Zagrebit.
Festivali i artit alternativ me moton “Unë e dua Zagrebin” i është kushtuar artistit konceptual kroat Tomislav Gotovac. Ai merret me temën e lidhjeve në mes të trupit dhe hapësirës publike. Gotovac qe bërë njohur me faktin se në vitin 1981 kishte shëtitur plotësisht lakuriq rrugëve të Zagrebit.