Gjiganti teknologjik, Apple, së fundmi deklaroi se do të mundësojë mbushjen pa kabllo të telefonave më të rinj iPhone X dhe iPhone 8.
Tani kompania e ka përforcuar deklaratën duke blerë kompaninë nga Zelanda e Re “PowerbyProxi” që dizajnon produktet për mbushje pa kabllo për klientët dhe për këtë industri.
Një zyrtar i Apple ka konfirmuar blerjen, që më herët ishte bërë publike nga mediat në Zelandën e Re. Asnjëra kompani nuk ka pranuar të japë detaje për këtë transfer.
Mbushja pa kabllo ia mundëson përdoruesit mbushjen e pajisjes thjeshtë duke e lënë atë në një pajisje të veçantë apo sipërfaqe tjetër të caktuar, pa pasur nevojë që ta lidhë me një kabllo e në rrymë.
Apple është treguar e ngadalshme në këtë teknologji, duke mbetur prapa rivalit më të madh Samsung dhe kompanive të tjera mobile, që tashmë e kanë ofruar shërbimin e veçantë qe disa vjet, shkruan Albinfo.ch.
Interesimi i Appleit për “PowerbyProxi” u ngjall pasi disa nga pajisjet e kompanisë nga Zelanda e re mundësojnë transferimin e deri në 150 vat për pajisjet që mbushen pa kabllo.