Ministri i ekonomisë në Qeverinë federale të Zvicrës, Johann Schneider-Ammann ka dhënë një prognozë të zymtë sa i përket gjendjes ekonomike në muajt që vijnë. Ai ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e një recesioni, i cili do të shkaktojë humbjen e deri 40.000 vendeve të punës në periudhën e ardhshme njëvjeçare.
Kjo shifër nënkupton rritjen e përqindjes së numrit të të papunëve për 1% më shumë se që është tash, njofton Televizioni Publik i Zvicrës Sf1.
Amman këto konstatime i ka bërë në një kongres për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që është mbajtur të mërkurën në Bernë.
Sipas Schneider-Ammann, Zvicra do ta ndjejë më shumë krizën e shkaktuar nga frangu i fortë se sa që e ka ndjerë krizën financiare globale të viteve 2008-2009. Në të vërtetë, sipas tij, në kohën e krizës në fjalë Zvicra ka përfituar nga pakot konjunkturale të shteteve të tjera.