Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley deklaroi se Uashingtoni po përpiqet fort që të gjitha vendet ta njohin Kosovën në Kombet e Bashkuara.
Gjatë pritjes së organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në New York dhe Dhoma Amerikane në Kosovë, ku ishin të ftuar ambasadorë të akredituar në OKB, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare e të bizneseve amerikane, diplomatja e lartë nuk la pa përmendur dhe faktin që bashkëshorti i saj është me origjinë shqiptare.
“Ne deshëm të merrnim pjesë në këtë aktivitet për disa arsye. Jam këtu me burrin tim, gjyshi i të cilit erdhi në Amerikë nga Shqipëria. Kemi shumë gjëra të përbashkëta me kosovarët në komunitetin shqiptar. Ne po përpiqemi që Kosova të marrë njohjen e të gjithë vendeve në OKB dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa Kosova ta fitojë njohjen”, tha Haley, përcjell albinfo.ch.
Ambasadorja la më tej të kuptohej se prania e saj në event ishte dhe një mesazh i qartë i faktit se Amerika do të vazhdojë të mbetet një vend mik për Kosovën.
https://web.facebook.com/zeriamerikes/videos/10155887047324536/?_rdc=1&_rdr