Edhe pse ditë pushimi, Ambasadori i Republikës se Shqipërisë në Vjenë, Dr. Roland Bimo, takoi një grup të mësuesve shqiptarë në Austri, të prirë nga kryetarja e SHMSH „ Naim Frashëri“, Miradije Berishaj, transmeton albinfo.ch.
Në këtë takim u fol për mësimin e gjuhës shqipe, sukseset, sfidat dhe senzibilizimin e përfshirjes sa më të madhe të nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe. U dhanë edhe ide për aktivitetet e radhës në kohë pandemie.
Duhet theksuar se rëndësi e veçantë e takimit të sotëm ishte dorëzim-pranimi i teksteve mësimore të dërguara nga Qendra e Botimeve për Diasporën e Republikës së Shqipërisë, transmeton tutje albinfo.ch.
Kryetarja Miradije Berisha, në emër të SHMSH „Naim Frashëri“ falënderoi QBD, ambasadorin z. Roland Bimo dhe stafin e Ambasadës që kanë marrë përsipër sjelljen dhe shpërndarjen e teksteve.
“Si kryetare e Shoqatës falënderoj edhe kolegët për angazhimin dhe praninë e tyre në takim”, është shprehur Berisha. /Albinfo.ch


