Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur sot kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Deklaratat e tij vijnë pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton albinfo.ch.
I pyetur nëse priten nga SHBA-ja veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier deklaroi që “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.
Ndër të tjera ai ka deklaruar se ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, SHBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re, shkruan REL.