Alpinisti i njohur zviceran, Ueli Steck sipas të gjitha gjasave ka humbur jetën në një aksident të rëndë në Himalaje. Mediat zvicerane e japin këtë njoftim duke iu referuar një lajmi të publikuar në “Himalayan Times”. Ndonjë njoftim zyrtar për vdekjen e tij ende nuk është dhënë.
Steck duket të ketë rrëshqitur gjatë turit eksplorues në përpjekjen e tij për të realizuar një rekord në Mount Everest me ç`rast ka rënë në një humnerë.
“The Himalayan Times” në njoftimin e vet u referohet alpinistëve në kampin “I am Everest”.
Steck kishte shkuar nga fillimi i prillit në Nepal, në përpjekjen për të pushtuar dy majat më të larta në botë pa shishe me oksigjen, që do të ishte rekord botëror.
Mediat zvicerane i kanë bërë jehonë të madhe vdekjes së alpinistit Steck, i cili ishte shumë i njohur për opinionin e këtushëm.