Albina C., një shqiptare 39 vjeçe me banim në Greqi po gjykohet nga gjykata e Landit e Munihut për pjesëmarrje në një vjedhje të profilit të lartë. Ajo akuzohet se ka marrë pjesë në vjedhjen e kamerave në shitoren speciale Cine+Media GmbH në Munih, me ç`rast janë vjedhur kamera dhe pjesë rezervë me vlerë prej 2.2 milionë eurosh.
E veçanta e kësaj vjedhjeje, sipas medieve gjermane është se kamerat kanë përfunduar në Televizionin publik shqiptar, ku edhe sot janë në shfrytëzim!
Aksioni i vjedhjes ka ndodhur më 8 gusht 2011. E gjendur në bankën e zezë, Albina thotë se krejt çfarë ka bërë ajo është se, pa dijen e saj, ka ndihmuar tre meshkujt e akuzuar për vjedhjen. Dy prej tyre janë duke vuajtur burgun ndërsa shefi i bandës, Klaudjo i mbiquajtur “Piccolino” ndodhet në arrati.
Sipas mendimit të trupit gjykues, Piccolino ka lidhje të mira me televizionet shqiptare të cilat kanë nevojë te ngutshme për teknikë moderne. Ndërsa ai e di me saktësi se ku mund të vjedhë gjëra të tilla.
Klaudjo kishte angazhuar dy profesionistë për grabitje: Besnik S. dhe Hito G.(me pseudonimin “Maxi”). Ndëesa mikeshn e asokohshme të Maxit, Albina C. e kishte angazhuar si shofere dhe si karrem. Para vjedhjes, Albina C. duhej të paraqitej në firmën e përmendur të kamerave si një afariste, për të pyetur nëse kamerat e dëshiruara ndodheshin në depo ose jo.
E akuzuara e pranon para gjykatës se “Piccolino interesohej vetëm për kamerat e caktuara”. Natën e vjedhjes ajo kishte vozitur kamionin, ndërsa meshkujt kishin kryer vjedhjen dhe kishin bërë ngarkesën.
Dy vjedhësit, Maxi dhe Besniku janë duke vuajtur dënimin me nga 5 vite burg në Gjermani. Albina C. është arrestuar në Athinë, në vitin 2012 kur dhe është ekstraduar për në Gjermani.