Akupunktura dhe homeopatia do të vazhdojnë të rimbursohen automatikisht nga sigurimi bazë shëndetësor në Zvicër. Senati ka refuzuar në mënyrë të heshtur një propozim për të kufizuar mbulimin e trajtimeve të caktuara alternative, duke mos ndjekur kështu këshillën e Dhomës së Ulët të Parlamentit, transmeton albinfo.ch.
Ky mocion ishte paraqitur nga deputeti Philippe Nantermod nga partia liberal-demokrate (PLR). Propozimi kërkonte që pesë lloje trajtimesh akupunktura, homeopatia, fitoterapia, mjekësia antropozofike dhe farmakoterapia e mjekësisë tradicionale kineze të mos mbuloheshin më nga sigurimi bazë, por të bëheshin shërbime shtesë me pagesë, siç ndodh aktualisht me sigurimin për aksidente.
Por një ndryshim i tillë, sipas Hannes Germann nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), do të binte ndesh me vullnetin e popullit, i cili në vitin 2009 votoi në favor të mbulimit të këtyre trajtimeve nga sigurimi bazë. Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, gjithashtu mbështeti qëndrimin e Senatit, duke theksuar se kursimet që do të arriheshin nga përjashtimi i këtyre trajtimeve do të ishin të papërfillshme.