Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se akullnajat po shkrihen më shpejt se sa mendohej më parë dhe për dhjetë vjet ato mund të mos ekzistojnë fare, përcjell albinfo.ch.
“Ditët e akullnajave në Bavari janë të numëruara, dhe kjo shumë më herët se sa ishte menduar”, tha Thorsten Glauber, ministri bavarez i Mjedisit, duke theksuar se për dhjetë vjet ato mund të mos ekzistojnë fare.
Vlen të theksohet se Bavaria është pjesa e vetme e Gjermanisë ku ka akullnaja. Shkencëtarët më parë parashikuan që akullnajat do të shkriheshin nga mesi i shekullit, por shkrirja është përshpejtuar në mënyrë dramatike në vitet e fundit.
Po ashtu, në Alpet bavareze, ka pesë akullnaja që ndodhen në zonat Zugspitze dhe Berchtesgaden. Ato kanë humbur dy të tretat e vëllimit të tyre dekadën e kaluar.
“Akullnajat nuk janë vetëm një monument i historisë së Tokës në formën e borës dhe akullit, ato janë në të njëjtën kohë një termometër i gjendjes së klimës sonë”, tha Glauber.
Situata nuk është dramatike vetëm në Gjermani. Një studim i botuar në revistën “Nature” javën e kaluar zbuloi se shkrirja e akullnajave e shkaktuar nga ngrohja e klimës është përshpejtuar më tej në 20 vjetët e fundit, duke shkaktuar rritjen e nivelit të detit.
Sipas një studimi, akullnajat në gjithë planetin humbën mesatarisht 267 miliardë tonë akull në vit, nga viti 2000 deri në 2019-ën, e cila është e mjaftueshme për ta mbajtur Zvicrën të zhytur gjashtë metra nën ujë çdo vit.