Aktori kosovar Besnik Krapi, është ftuar në Akademinë Europiane të Filmit, shkruan albinfo.ch.
Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës.
“Producenti dhe aktori kosovar, Besnik Krapi, është i ftuari i radhës i Akademisë Europiane të Filmit. Kontributi i tij në fushën e kinematografisë, si producent dhe aktor, është mjaft i njohur në rajon dhe më gjerë”, kanë njoftuar nga QKK, përcjell albinfo.ch.
Besnik Krapi u bë i njohur për publikun kosovar sidomos me rolet e tij në filmin “Shok” dhe rolin e ‘turkut’ në serialin e zhanrit komedi, “O sa mirë”.
Bashkë me Krapin, deri tash Kosova numëron 24 anëtarë në këtë akademi.
Akademia Europiane e Filmit u themelua në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman.