Është bërë e ditur nga mediat amerikane se aktori Joe Lara, i njohur për rolin në serinë amerikane “Tarzan: “The Epic Adventures”, humbi jetën në moshën 58-vjeçare gjatë fundjavës së bashku me gjashtë pasagjerë të tjerë në një aksident ajror në shtetin e Tenesit, në SHBA, përcjell albinfo.ch.
Theksohet se aeroplani i tyre Cessna C501 u zhyt në Liqenin Percy Priest, pranë qytetit Smyrna, pak pasi u ngrit nga aeroporti Rutherford Country i Smyrna-s rreth orës 11:00 të mëngjesit të shtunën afër Nashville, sipas mediave lokale.
Së bashku me aktorin, ishte dhe gruaja e tij, Gwen Shamblin Lara.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit tha se asnjë udhëtar nuk supozohej se kishte mbijetuar dhe se janë duke u zhvilluar hetimet për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
Lara gjithashtu u shfaq në filma aksion si Sunset Heat, American Cyborg: Steel Warrior, Final Equinox dhe Doomsdayer dhe seritë televizive Baywatch dhe Conan.