Festa që bënë mbrëmë shqiptarët pas fitores së parë në Evropianin 2016, duket se jo gjithkund ka kaluar pa telashe. Parakalimi me vetura të stolisura me flamuj me boritë e lëshuara në maksimum dhe vallëzimi duke dalë përgjysmë nga dritaret e makinave ka pasur në disa raste pasoja serioze. Kështu, në Heilbronn të Gjermanisë në një korzo të tillë të zhurmshme ka ndodhur një aksident i rëndë.
Pas përfundimit të ndeshjes shqiptarët fillimisht kanë festuar në rrugën e këmbësorëve dhe pastaj e kanë bartur festën e tyre në pjesët ku qarkullojnë tramvajët, në të cilën ndërkohë kishin hyrë shumë automjete, shkruan stimme.de. Kështu, manifestuesit bllokuan të dy anët e rrugës, bën të ditur policia, duke informuar se për një kohë i gjithë trafiku lokal ishte i bllokuar, transmeton albinfo.ch. Vetëm pas insistimit të policisë, shinat e tramvajëve sërish u liruan.
Por, rreth orës 23 e 40, një makinë mercedes e një pjesëmarrësi 23 vjeçar të korzos u përplas me një makinë të një personi 38 vjeçar që vinte nga ana tjetër e rrugës. Shoferi i mercedesit me këtë rast ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa dëmet materiale vlerësohen në së paku 15 mijë euro.