Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, këto dy subjekte politike kanë dorëzuar konfirmimin për mospjesëmarrje brenda afatit të përcaktuar, i cili ka përfunduar më 7 maj në ora 24:00.
KQZ bëri të ditur se në total nëntë parti politike kanë njoftuar zyrtarisht se nuk do të jenë pjesë e garës zgjedhore, ku përfshihen edhe AKR dhe Nisma, si dy nga subjektet më të njohura politike në vend.
Në listën e partive që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje janë edhe: Partia Demokratike e Unitetit, Balli Kombëtar i Kosovës, Lëvizja Qytetare Vatra, Bashkimi për Ndryshim Anamorava, Partia e Drejtësisë, Srpski Narodni Pokret dhe Partia Reforma Demokratike.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes dhe formimin e koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026, dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Kosovë./Albinfo.ch