Është përuruar dje ndërtesa e kontrollit të sigurisë në Aeroportin e Cyrihut. Ministrja e transportit, Doris Leuthard ka bërë përurimin solemn të ndërtesës në fjalë dhe të Dock B.
Në fjalën e saj të mbajtur me këtë rast, Leuthard ka thënë se për pasagjerët po lehtësohet rruga deri te aeroplani. Megjithatë, ndërtesa për kontrollimin e sigurisë do të vihet në funksion vetëm javën e ardhshme.
Marrëveshja e Schengenit ka qenë shkaktare për ndërtimin e këtij objekti që ka kushtuar 430 milionë franga. Marrëveshja në fjalë kërkonte që edhe Aeroporti i Cyrihut të siguronte një kontroll sigurie sipas standardeve të BE-së.
Me ndryshimin e fundit, pasagjerët pas chek-in-it dhe kontrollimit në bord do të kalojnë nëpër ndërtesën e re të kontrollit të sigurisë.