“Të premten, më 7 shkurt, të gjithë punonjësit me kontratë të USAID-it do të pezullohen në gjithë botën”, thuhet në një njoftim në uebsajtin e USAID-it, i cili ka qenë jashtë funksionit prej fundjavës së kaluar.
Forca punëtore e USAID numëron më shumë se 10.000 persona. Rreth dy të tretat e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS). Agjencia ka më shumë se 60 misione kombëtare dhe rajonale.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.
Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
I dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell, ka publikuar fondet e USAID, sipas të cilave Organizatat jo qeveritare në Ballkan kanë përfituar për 4 vite, konkretisht 2020 – 2024.
Në Maqedoni të Veriut OJQ- të kanë marrë 290 milionë dollarë për 4 vite.
Në total për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor USAID ka dhënë 1.7 miliardë dollarë.
Nga USAID më shumë fonde ka marrë Kosova 537 milionë, pason Bosnja 402 milionë, Maqedonia e Veriut 290 milionë, Serbia 209 milionë, Shqipëria 189 milionë dhe Mali i Zi 77 milionë.