Nga e enjtja deri të dielën në sallën e madhe të panaireve në Oerlikon të Cyrihut qëndron i hapur panairi i arteve “Kunstzürich 2020”.
Është edicioni i 26-të me radhë i këtij panairi të rëndësishëm për Zvicër e më gjerë.
Në këtë lloj organizimesh nuk marrin pjesë drejtpërdrejt artistët, por janë galeritë e arteve, koleksionistët dhe fondacionet ato që prezantojnë punimet që i kanë në koleksionet e tyre dhe të cilat i hedhin në shitje.
Në këtë panair është i pranishëm edhe artisti nga Kosova, me qëndrim në Zvicër. Ai prezantohet në pavionin e “Gallerie und Verlag Wolfensberg”, me kurator Thomi Wolfensberger, shkruan albinfo.ch. Galeria e përmendur është njëherësh edhe vendi i punës i artistit Dërmaku, i cili aty vepron si asistent grafist.
“Në këtë panair prezantohem me një punim me emrin “Pa titull” (OT), të punuar në teknikën Monotypi”, shprehet Adem Dërmaku për albinfo.ch.
Dërmaku është i lindur në vitin 1978 në Gjilan, Kosovë. Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ai ka kryer edhe magjistraturën. Prej shumë vitesh ai jeton në Zvicër, konkretisht në Cyrih, ku dhe punon në profesionin e vet, në galerinë e përmendur “Wolfensberg”.
Gjatë këtyre viteve ai ka hapur një numër të madh ekspozitash personale dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, me artistë zviceranë, shqiptarë dhe të tjerë.

