Këto ditë doli nga shtypi ”Abetare e posaçme” nga Urti Osmani, një tekst që pasuron dijet dhe kulturën kombëtare. Ky tekst do t’u shërbejë nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut.
Urti Osmani i ka dhënë arsimit kombëtar brenda dhe jashtë atdheut një ndihmesë të shquar me vepra dhe me shembullin e madh prej pedagoges së përkushtuar mësimit për dritën e diturisë, që të çon drejt përparimit të shoqërisë shqiptare.
Autorja e tekstit, Urti Osmani, i ka shoqet e rralla. E palodhur, prijatare në shumë fusha të mendimit të arsimit brenda dhe jashtë atdheut, u bë prind shpirtëror i nxënësve anembanë diasporës shqiptare, mike e dashur e mësuesve dhe bashkëpunëtorëve. Rrallëkush u ka dhënë aq shumë prindërve, nxënësve dhe mësuesve të shqipes sikurse bashkëshortët Prof Dr. Shefik dhe Urti Osmani, për kulturën dhe arsimin kombëtar. Emrat e tyre janë të pandarë nga zhvillimi i arsimit e i shkencës në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare.
Në të gjitha veprimtaritë e shkollës shqipe nëpër Evropë emri i tyre qëndron në krye, jo për shkak të moshës së shtyrë, por duke hartuar libra si një ndihmesë për mësimin e shqipes për shqiptarët jashtë atdheut. Sot u urojmë të dyve nga zemra shumë e shumë vjet të tjerë jetë së bashku me shëndet të plotë e me mbarësi për ta dhe për kombin shqiptar.
Ne mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në vazhdimësi gjatë periudhës shkollore në cilindo takim që kishim e kemi: në shkollë, në ndeja a takime seminari i shprehshim pyetjen njëri – tjetrit: me cilën tekst fillestar po punon? Derisa kemi tekstet nga klasa e tretë, kemi bosh periudhën fillestare, (me abetare jo, ngase fëmijët duhet të alfabetizohen në një gjuhë tjetër). Si mund të zgjedhim vështirësitë me disa shkronja dalluese të shqipes, të cilat nuk i kanë shumë gjuhë të tjera evropiane, etj.
Me gjithë përvojën tonë shumë të gjatë në procesin e mësimit plotësues, puna me klasën e parë dhe të dytë është sa e vështirë, aq edhe me përgjegjësi në radhë të parë për mësimdhënësin. Kur dihet se mësimi i shqipes bëhet në kushte dygjuhëshe, fëmijët shqiptarë njihen me një gjendje të re komunikuese. Me mësimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare, por edhe me mësimin e një gjuhe të re të huaj.
Nëpërmjet mësimit plotësues të gjuhës shqipe krijohet mundësia e zhvillimit të gjuhës amtare shqipe të fëmijës në shkollë, në fusha të ndryshme të shqiptimit, gramatikës dhe të shkruarit. Përdorimi i gjuhës shqipe vetëm në familje nuk mjafton për ta zhvilluar gjuhën e fëmijës. Zhvillimi i gjuhës nuk mbaron me të filluar fëmija në shkollë. Nëse zhvillimi i gjuhës amtare ngel në vend, mund të ketë pasoja për mësimin e gjuhës së dytë dhe për zhvillimin arsimor të fëmijës në përgjithësi.
Kështu përmes mësimit plotësues të gjuhës shqipe fitojmë edhe dygjuhësinë, p.sh. shqip – gjermanisht, shqip – frëngjisht, etj. Fëmijët flasin e shkruajnë në të dy gjuhët. Në ditët e sotme për shqiptarët e diasporës problemi i ri që shtrohet me mprehtësi është dygjuhësia.
Duke sjellë në kokë këto e shumë pyetje të tjera, na erdhi teksti “Abetare e posaçme” i një rëndësie të veçantë.
Cilat janë lehtësitë që i mundëson teksti “Abetare e posaçme” ?
Teksti shkollor ”Abetare e posaçme”, të cilën sapo e kemi në duar, mund të përdoret nga mësues të gjuhës shqipe në diasporë në momentet e fillimit të punës sonë. Ky libër synon t’u japë njohuritë më kryesore për të folur e për të lexuar gjuhën shqipe letrare edhe jashtë atdheut.
Në radhë të parë ky tekst nuk është një abetare e shqipes, ndonëse aty jepen, në fakt, njohuritë kryesore rreth sistemit fonetik të shqipes. Më tepër se një abetare, në hartimin e tij gjejmë një metodë me karakter të theksuar praktik që do t’i përshtatet më mirë shkallës së përgatitjes të para diturive të fëmijëve tanë nismëtarë, për të përvetësuar dhe shqiptuar saktë tingujt e gjuhës shqipe.
Sigurisht secili mësues, mbi bazën e një teksti të tillë, mund të ndërtojë një strategji të veten. P.sh.,me nxënës që kanë vështirësi në shqiptim, me fillestarët, por edhe me fëmijët që nuk e kanë shqipen gjuhë amtare mësuesi është mirë të ndalet sa më shumë e sa më mirë në mësimet e 16 njësive mësimore që u kushtohen tingujve dallues të shqipes.
Por ky tekst mësimor mund të përdoret edhe pa mësues. Ai i ka të gjitha lehtësitë dhe shkallëzimin e nevojshëm e metodik që mund të kuptohet e të zbatohet pa vështirësi edhe nga ata prindër që nuk kanë mundësi të gjejnë një mësues.
Një “Abetare e posaçme”, hartuar ndryshe, që ka për mbështetje porositë e teorisë bashkëkohëse të mësimit të shkronjave dalluese e të shkrim – leximit, në kushte të mësimit në mesin dygjuhësh dhe të metodologjisë së sajimit të saj mbi këtë bazë.
Teksti është pajisur me një numër të konsiderueshëm figurash e skicash, me qëllim që nxënësit të lidhen lehtë me emrin shqip të gjësendit dhe figurën e tij. Pra, libri do të shërbejë edhe si një lloj fjalori me figura, dhe nxënësi do të arrijë në shqiptimin e saktë të tingujve, ngase numri më i madh i fëmijëve janë të lindur në vend të huaj. Fjalitë dhe copat e ndryshme që jepen në këtë tekst kanë ndërtim të thjeshtë e të përshtatshëm për moshën e nxënësve.
Kjo “Abetare e posaçme” ka metoda të gërshetuara, të cilat mundësojnë mësimin dhe drejtshqiptimin e saktë të tingujve të gjuhës shqipe. Për çdo mësim ka udhëzime didaktike për mësuesin lidhur me mënyrën e artikulimit të tingujve të ndryshëm nga nxënësi. Gjithashtu nuk mungon dhe rubrika e ushtrimit me fjalë, fjali dhe detyra për të ushtruar nxënësi.